Ervin Nikolla rrëfen për gazetën maqedonase “Ilinden”: Midis gazetarisë dhe përkushtimi  për Minoritetin Kombëtar Maqedonas

Foto: Gazeta maqedonase “Ilinden”

Gazeta maqedonase “Ilinden”: Zoti Ervin Nikolla, ju lutemi prezantohuni para lexuesve tanë.

Unë jam Ervin (Grigor) Nikolla, jam nga fshati Shulini zona e Prespës i biri i Fotos dhe nipi i Bogdanit. Jam djali i vetëm i një njeriu që njerëzit e minoritetit, i donte pa kushte. Gjithmonë jam shfaqur krenar për gjuhën dhe minoritetin të cilit i përkas dhe kështu do të jetë gjithmonë, edhe për fëmijët e mi. Unë jam lindur dhe rritur në Korçë, ku kam kryer edhe arsimin e mesëm të përgjithshëm. Më tej u diplomova si “Interpret dhe përkthyes i gjuhës italiane”, në vitin 2004, në Tiranë.

Njoh mirë gjuhën angleze dhe atë frënge. Gjuhët e huaja ishin një traditë familjare, babai, ishte diplomuar si mësues i gjuhës ruse, ndërsa nëna ime për gjuhën frënge. Por pasioni për gazetarinë më bëri për vete që në moshë të vogël, kur pata fillimiet e mia në Radio Korça. Më tej, që në periudhën e studimeve, punova në Tiranë.

Fillimisht te Gazeta Republika, ku mbuloja aktualitetin për një periudhë të shkurtër, më pas te Radio “Kontakt” për 3 vite, te Gazeta “Dita”, 1 vit dhe më pas iu dedikova edhe gazetarisë sportive, në Tv Klan, Koha Televizion, Vizion Plus dhe Tring. Kam punuar gjithashtu në Radio Televizionin Shqiptar dhe aktualisht punoj në Top Albania Radio, ku prej 2 vitesh mbuloj aktualitetin. Për ne minoritarët, asgjë nuk ka qenë e thjeshtë, por jam krenar për sa kam arritur me punë të ndershme dhe përkushtim.

Gazeta maqedonase “Ilinden”: Babai juaj i ndjerë, Foto Nikolla, ishte një aktivist i njohur i Minoritetit Kombëtar Maqedonas. Si e kujtoni kontributin e tij dhe çfarë ndikimi ka pasur ai në jetën dhe angazhimin tuaj?

Im atë, Foto Nikolla, jetën e tij ia dedikoi arsimit, informimit dhe teksteve për njerëzit e Prespës dhe të gjithë minoritetit maqedonas.  Jam rritur në një shtëpi të mbushur me libra, duke dëgjuar rrahjen e gërmave maqedonase nga një makinë shkrimi që edhe sot e ruaj me fanatizëm. Im atë Foto dhe makina e tij e shkrimit, im atë dhe programi radiofonik, ishin binomet që shoqëruan ditët e mia për më shumë se një dekadë. Nuk më bezdisi kurrë vendosmëria dhe përkushtimi, sepse im atë nuk mund të ishte ndryshe. Aroma e librave të sapoprintuar, që shpesh i sillte edhe vetë nga Tirana, përkthehej me gëzimin e një pune të mbaruar, që kishte dashur shumë impenjim dhe mund. Jam ndier krenar që zëri i cili përcillte lajmet në gjuhën maqedonase në Radio Korca, ishte zëri i babait tim.

Jam krenar për çdo gërmë që ka shkruar, për çdo libër shkollor, por edhe për shumë botime të tjera, ku do të veçoja: “Krijues letrarë nga minoriteti maqedonas në Shqipëri”, botuar në maqedonisht dhe shqip, por edhe përkushtimin për ribotimin e fjalorit shqip-maqedonisht të Nikolla Berovskit. Shumë nga artikujt e tij për arsimin, folklorin dhe traditat e maqedonasve në Shqipëri i ruaj me fanatizëm. Në dekadën e fundit të punës, im atë ishte anëtar i Komitetit Shtetror të Minoriteteve pranë Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, si kurorëzim i një jete dedikuar njerëzve të tij. Im atë ka qenë burim frymëzimi për mua, si njeri punëtor dhe i drejtë. Shpesh herë diskutonim për zhvillimet në zonë, për vështirësitë dhe jetën e vështirë që solli largim masiv të njerëzve. Im atë bëri sa mundi që gjërat të ndryshonin, por pa një mbështetje të fuqishme dhe vullnet politik nuk mund të bëhej më tepër. Por është koha që gjërat të ndryshojnë.

Gazeta maqedonase “Ilinden”: Si e vlerësoni gjendjen aktuale të ruajtjes së gjuhës maqedonase në Shqipëri?

Gjuha do njerëz që të mbijetojë, do përkushtim dhe shumë këmbëngulje. Unë sot e kam të vështirë të flas rrjedhshëm, edhe pse e kuptoj. Por që gjuha të mbijetojë, duhen fëmijë që ta mësojnë në shkollë dhe ta trashëgojnë ndër breza. Sot në Shkollën e Pustecit numri i nxënësve është shumë i vogël, kjo për shkak të largimit të maqedonasve jashtë kufijve të Shqipërisë, për një jetë më të mirë, madje për mbijetesë.

Kuptohet që familjet të cilat janë shpërngulur drejt Maqedonisë, po e mbajnë gjallë dhe po arsimojnë brezat e ardhshëm në gjuhën amëtare, por ata që janë shpërngulur tjetërkund, e kanë të vështirë. Falë teknologjisë, falë rrjeteve sociale, tashmë komunikimi dhe informimi është më i thjeshtë. Këtu dua t’ju falenderoj për përkushtimin tuaj, si shoqatë, me faqen zyrtare në web por edhe në Facebook. Kjo është diçka shumë e rëndësishme, është oksigjen për gjuhën, është domosdoshmëri.

Në një kohë kur Bashkia e Pustecit anashkalon gjuhën amëtare në faqen zyrtare, mund të kuptojmë se përkushtimi nuk është i njëjtë, madje kjo përbën një shkelje të hapur të ligjit dhe konventave ndërkombëtare për minoritetet. Nëse ne dorëzohemi, askush nuk do të na lutet të mbajmë gjallë gjuhën tonë, identitetin tonë. Mendoj se nuk është momenti më i mirë, sa i takon ruajtjes së gjuhës, për të mos thënë që është një nga momentet më të vështirë.

Gazeta maqedonase “Ilinden”: Si e vlerësoni rolin e pushtetit vendor në zonat ku jeton Minoriteti Kombëtar Maqedonas?

Unë jam një njeri që edhe falë karakterit nuk kënaqem me fasada. Unë kam qenë dhe do të jem në brendësi të realitetit në zonën e Prespës dhe mund të them hapur që nuk jam aspak i kënaqur me sa është bërë dhe po bëhet. Pushteti vendor ka mjaftueshëm fonde që në Prespë të jenë të gjitha kushtet për jetesë të standarteve shumë të larta. Por realiteti është i dhimbshëm. Si mund të diskutohet ende uji dhe rrugët? Si mund të mungojnë ndërhyrjet dhe investimet në çdo fshat? Shulini ka mbetur i njëjti, si përpara 10-15 vitesh.

Në Pustec kanë bërë diçka, sepse aty ndodhen edhe zyrat e Bashkisë, por mund të ishte bërë shumë më tepër. Në këto fshatra kaq të vogla mund të bësh shumë me pak buxhet. Por ju siguroj se paratë nuk mungojnë, ato keqpërdoren. Nuk mund të kanaqemi me ndërtimin e një muzeu për Sterjo Spassen dhe me investime minimale në shkollë. Po shëndetsia? Ku shkojnë njerëzit e Prespës për t’u kuruar, edhe për gjëra minimale i drejtohen ende Korçës, ose spitaleve në Maqedoni, apo jo? Si ka mundësi që nuk gjendet një zgjidhje, sepse Pusteci është Bashki më vete. Po shërbimet e gjendjes civile, ku ofrohen? Më vjen keq, shumë keq që njerëzit e mi nuk marrin shërbimet që duan në zonë. Por ne kemi një problem, jemi shumë të butë dhe kënaqemi me pak.

Foto: Gazeta maqedonase “Ilinden”

Gazeta maqedonase “Ilinden”: Si gazetar me përvojë, çfarë roli luajnë mediat në ruajtjen dhe promovimin e identitetit maqedonas në Republikën e Shqipërisë?

Gazeta juaj luan rol, edhe programi në Radio Korça. Kaq! Është e tmerrshme të mendosh që edhe 30 vite më parë këto i kishim, pra emisionin dhe gazetën e parë në gjuhën tonë, sot duhet të kishim më tepër. Vetëm këto kemi, sepse mediat në Shqipëri nuk kanë promovuar kurrë kulturën dhe traditat tona në mënyrën e duhur. Kanë folur për bukuritë e Prespës, apo të krahinave të tjera ku jeton minoriteti, por maksimumi që kanë bërë, është që kanë pasqyruar ndonjë aktivitet ku kanë marrë pjesë politikanët. Pra lajmi kanë qenë gjithmonë ata. Madje Pusteci një herë në dy vite përbën lajm, sepse 1 mijë e ca votat që numërohen shpejt e shpejt, përbëjnë lajmin e parë në zgjedhje. Por shumë rrallë përmendet se kjo është një bashki e minoritetit maqedonas.

Gazeta maqedonase “Ilinden”: A mendoni se të drejtat e Minoriteti Kombëtar Maqedonas zbatohen plotësisht në praktikë?

Është e vështirë sot e kësaj dite, të bindësh miq shqiptarë, se ne jemi autoktonë dhe jemi maqedonas të Shqipërisë. Ka një paragjykim absurd, a thua se pretendojmë se jemi grekë, për të përfituar pensione. A thua se pretendojmë se jemi bullgarë, për të marrë një pasaportë? Në këtë rast mund të merren, së pari sepse minoriteti bullgar është diçka e shpikur për arsye politike, së dyti sepse në atë rast ka vërtet përfitim.

Por ne jemi maqedonas, të tillë kemi qenë dhe të tillë do të mbetemi. Censusi i fundit ishte një katastrofë. Që këtu mund të kuptohet sa zbatohen të drejtat. Mund të them që teorikisht duhet të kishim përfaqsues në insititucionet shtetërore me rëndësi, jo vetëm në Komiteti pë Pakicat Kombëtare. Por ku i kemi përfaqsuesit? Gjatë karrierës sime kam debatuar edhe me personalitete të medias dhe politikës, që e kanë shumë të zorshme të na njohin për çka jemi. Ka variante të ndryshme, sipas logjikës së interesit politik. Ne jemi mes tre zjarreve. Edhe për shkak të injorancës historike dhe një patriotizmi të sëmurë, shumë politikanë shqiptare nuk e pranojnë identitetin tonë kombëtar, edhe pse gjatë zgjedhjeve sillen ndryshe. Po këta personazhe, janë ata që kanë ushqyer shpikjen dhe pranimin e një minoriteti bullgar në Shqipëri, për interesa politike kryesisht. Po këta, që me zor pranojnë ekzistencën e minoritetit grek në Shqipëri, janë dakord me Greqinë, që nuk e njeh Maqedoninë pa prapashtesën “ e veriut”.

Por gjërat duhet të ndryshojnë dhe ne si maqedonas duhet të shfrytëzojmë momentin. Është një periudhë sa e rëndësishme, aq edhe e rrezikshme. Shqipëria synon Bashkimin Europian dhe BE ka kërkesa të qarta dhe shumë të sakta për mbrojtjen e minoriteteve. Do shohim sesi Tirana do të zbatojë çdo kërkesë të Greqisë për minoritetin e vet, sepse përndryshe Greqia vendos veton. Bullgaria është gati të veprojë njësoj. Por kujdes, ne duhet të jemi të përgatitur për pretendimet tona, është momenti të trokasim fort dyerve të Shtetit dhe të Europës, sepse rrezikojmë shumë pa përkrahjen e Shkupit.

Ne duhet të kemi mbështetjen e duhur, që të sanksionojmë përfaqësimin e garantuar me një deputet në Parlementin e Shqipërisë. Ky është momenti për ta kërkuar dhe për ta arritur. Për t’ia dalë duhet të luftojmë shumë dhe sigurisht kjo nuk arrihet duke mos e ngritur zërin dhe mos kërkuar me ngulm të drejtat tona përballë përfaqsuesve të maxhorancës. Politikanët këtu kujtohen për popullin vetëm në periudhë zgjedhjesh dhe ne më pas harrojnë. Vetëm me përfaqsuesit tanë mund t’ia dalim, me djemtë e Prespës dhe me Parti politike tonën, siç është Aleanca e Maqedonasve për integrimin europian. Nuk ka më kohë për aleanca me Partitë e mëdha. E kemi parë sesi ka mbetur në harresë çdo premtim.

Gazeta maqedonase “Ilinden”: Mendoni të angazhoheni dhe në jetën politike të maqedonasve në Republikën e Shqipëri?

Po, patjetër! Im atë ka qenë një ndër nismëtarët e shoqatës së parë, unë do të vijoj rrugën e tij, madje me më shumë përkushtim dhe vendosmëri. Unë nuk dua angazhim për të përfituar, kërkoj angazhim për të bërë mirë. Unë do të luftoj që minoriteti të përfaqsohet si duhet. Fillimisht duhet që në zgjedhjet lokale të fitojë kandidati i një partie të minoritetit, vetëm kështu e japim të fortë mesazhin në Tiranë, Bruksel dhe më gjerë. Më pas nis beteja për të arritur tek përfaqsimi i sigurtë në Parlamentin Shqiptar me një deputet. Kandidatët, nëse garojnë nën logon e PS dhe PD, do ta kenë të vështirë të ngrenë zërin për të drejtat tona edhe brenda partisë së tyre. Ndërsa një Kryetar Bashki i partive të minoritetit, i jep llogari njerëzve tanë dhe jo tekave të Kryetarëve të Partive të mëdha. Ky është këndvështrimi im, do të angazhohem maksimalisht.

Gazeta maqedonase “Ilinden”: Cili është vizioni juaj për të ardhmen e komunitetit maqedonas në Shqipëri?

Ne duam që toka e të parëve të ketë gjithçka që i takon. Duhet që çdo lek i Bashkisë apo fond i BE t’i shërbejë komunitetit. Prespa mund të jetë një zonë e vërtetë turistike. Me investimet e duhura dhe një program serioz, edhe ata që janë shpërngulur mund të rikthehen të investojnë dhe të jetojnë. Nuk po i referohem fasadës dhe përrallave të Partisë në Pushtet, por një mundësie reale. Sepse Prespën, Gorën, Gollobordën, Vërnikun, mund ta bëjnë vetëm maqedonasit e Shqipërisë, me shumë punë, përkushtim dhe dashuri.

Gazeta maqedonase “Ilinden”: Çfarë mesazhi do t’u jepnit të rinjve maqedonas për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditave?

Identiteti është krenaria e çdo kombi. Kur je minoritet, është gjithmonë dhe kudo e vështirë. Por kjo duhet të na bëjë edhe më këmbëgulës. Ne duhet të jemi gjithmonë krenarë për origjinën tonë, gjuhën dhe traditat. Rinia duhet t’i mbrojë me fanatizëm dhe t’ia përcjellë brezave. Nëse humbasim identitetin, kemi humbur gjithçka. Nuk ka pasuri në botë, që zëvendëson krenarinë dhe ruajtjen e identitetit. 

Gazeta maqedonase “Ilinden”:  Cili është mesazhi juaj për lexuesit e gazetës maqedonase “Ilinden”.

Të dashur maqedonas, informacioni është pasuri e pashtershme. Falë këtij mediumi, keni mundësinë të informoheni në gjuhën amëtare, diçka që është tejet e rëndësishme në ditët e sotme. Gjithkush duhet të ketë burime të shumta, ndaj informohuni sa më shumë, por në gazetën “Ilinden” ka vlerë vetëm e vërteta. Unë ju falenderoj shumë për këtë mundësi z.Gjurgjaj dhe ju uroj po shumë suksese!

Gazeta maqedonase “Ilinden”: Faleminderit për intervistën. Ju urojmë suksese personale dhe profesionale.

 

Gazeta maqedonase “Ilinden”
Kryeredaktori: Nikolla Gjurgjaj