
Seanca e sotme parlamentare shqyrtoi projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 16/2018 “Për Diasporën”” të ndryshuar””, nismë e deputetit të partisë Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian, AMIE, Vasil Sterjovski, që kishte për qellim kujdesin dhe bashkëpunimin e Ministrisë së Diasporës me pjesëtarët e Diasporës shqiptare, të cilët i përkasin pakicave kombëtare. Kjo nismë nuk gjeti miratimin në parim duke u rrëzuar me 84 vota kundër, 19 vota pro dhe 6 vota abstenim.
Më poshtë po sjellim fjalën e plotë ne senacën plenare të deputetit Vasil Sterjovski:
I nderuar Kryetar i Kuvendit
Të nderuar deputet
Të dashur qytetar
Në cilësinë e subjektit kushtetues kam propozuar projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 16/2018 “Për Diasporën”. Kjo nismë vjen në përputhje me nenin 81, pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe është mbështetur nga shumica e shoqatave të cilat mbrojnë të drejtat e minoriteteve në vendin tonë.
Ky projektligj ka si qëllim kryerjen e disa shtesave dhe ndryshimeve në ligjin nr. 16/2018 “Për Diasporën”, me synimin për të siguruar përfshirjen e pjesëtarëve të Diasporës shqiptare, të cilët i përkasin pakicave kombëtare në nismat dhe aktivitetet që ndërmerr Ministri i Shtetit për Diasporën dhe Agjencitë e tjera përgjegjëse. Nëpërmjet Fondit Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës të finacohen edhe individ dhe shoqatat që përfaqësojnë minoritetet në Diasporën shqiptare. Duke qenë se në grupin e shtetasve shqiptarë, migrantë, që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në mënyrë të ligjshme janë edhe shtetasit shqiptar, pjesë e minoriteteve, të cilët kontribuojnë rregullisht në zhvillimin ekonomik të vendit, e vlerësoj si një ndërhyrje të rëndësishme në legjislacion, krijimin e mundësisë së bashkëpunimit të Ministrisë së diasporës, me shtetasit shqiptarë që i përkasin pakicave kombëtare, si dhe shoqatave të pakicave kombëtare në diasporë.
Pjesëtarët e Diasporës shqiptare të cilat i përkasin pakicave kombëtare japin një kontribut të rëndësishëm në afirmimin e përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë në vendet ku kanë emigruar, jetojnë dhe qendrojnë.
Ata kontribojnë çdo vitë në zhvillimin ekonomik të vendit nëpërmjet dërgesave të remitancave pranë familjeve të tyre por edhe nëpërmjet ivestimeve të ndryshme në thellimin e ndërmarjeve të vogla dhe të mesme, përfshirë ato në fushën e bujqësisë, turizmit dhe zhvillimin e zonave rurale.
Për këtë arsye Ministria e Shtetit për Diasporën si dhe Agjencitë që merren me bashkëpunim me diasporën duhet që të kujdesen institucionalisht dhe t`i përfshijnë në aktivitetet e tyre edhe pjesëtarët e minoriteteve, të cilët si shtetas shqiptarë janë pjesë e diasporës shqiptare.Vetëm kështu, pjesëtarët e minoriteteve në Diasporën shqiptare do të ndihen të respektuar dhe të mirëpritur nga vendi i tyre i origjinës dhe do të japin kontributin e tyre më të madh në zhvillimin social ekonomik të Shqipërisë.
Të nderuar deputet,
Në mbledhjen e Komisionit për Politikën e Jashtme ku u diskutua ky proejktligj, komisioni vlerësoi se projektligji i propozuar nuk duhet të miratohet. Relatori për komisonin, z.Adnor Shameti sqaroi se kjo nismë ligjore vjen në kundërshtim me legjislacionin egzistues nga njëra anë ai i pakicat kombëtare ligji i vitit 2017 dhe nga ana tjetër meret me legjislacionin për diasporën me ligjin e vitit 2018.
Komenti i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme ishte se këto propozime bien në kundërshtim me konceptin e diasporës dhe të pakicave kombëtare dhe që individët që u përkasin pakicave kombëtare janë shtetas shqipëtar dhe si të tillë gëzojnë të gjitha të drejtat të jenë pjesë aktive të diasporës apo të konsiderohen pjesë e saj në përputhje edhe me parashikimet të vetë neni 2 të ligjit nr. 16/2018 “Për Diasporën” dhe mbetet e panevojshme për këtë arsye përfshirja në ligjë specifikisht e faktit se ata i përkasin një pakice kombëtare. Pra ky ishte komenti zyrtar i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme lidhur me këtë projektligj.
Ndërsa nga ana tjetër Ministri i Shtetit për Diasporën, z.Pandeli Majko në komision sqaroi se nuk ekziston asnjë model të njohur ndërkombëtar trajtimi i anëtarëve të minoriteteve si diasporë, kur pjesëtarët e saj vendosin të largohen nga vendi, shtetësinë e të cilit kanë. Legjislacioni për trajtimin e minoriteteve është i ndryshëm nga ai i trajtimit të Diasporës. Trajtimi i minoriteteve me statusin e “Diasporës” jashtë kufijve shtetërorë nuk mund të bëhet bazuar në parimin e shtetësisë.
Pra nga njëra ana Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme thotë se që individët që u përkasin pakicave kombëtare janë shtetas shqipëtar dhe si të tillë gëzojnë të gjitha të drejtat të jenë pjesë aktive të Diasporës apo të konsiderohen pjesë e saj, ndërsa nga ana tjetër Ministri i Shtetit për Diasporën, z.Majko ka qëndrim të kundërt nga ai i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe mendon se trajtimi i minoriteteve me statusin e “Diasporës” jashtë kufijve shtetërorë nuk mund të bëhet bazuar në parimin e shtetësisë!? Kjo është kontradiktore!
Trajtimi i individëve që u përkasin pakicave kombëtare të cilat janë pjesë e Diasporës shqipëtare nuk mund të regullohet me Ligjin Nr. 96/2017 “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”. Ky ligj rregullon ushtrimin e të drejtave të personave që u përkasin pakicave kombëtare në teritorin e Republikës së Shqipërisë, në përputhje me parimet e parashikuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Konventën Kuadër të Këshillit të Europës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare. Ndërsa Ligji nr. 16/2018 “Për Diasporën” regullon mënyrën e mbajtjes, të forcimit dhe realizimit të lidhjeve të diasporës me vendin e origjinës!
Në nenit 2 të Ligji nr.16/2018 “Për Diasporën” përkufizohet se “Diaspora” përfshin: Çdo person, i cili është lindur në Shqipëri dhe jeton jashtë kufijve të saj! Në këtë kontekst komenti i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për këtë projektligjë është korekt! Por praktika e deritanishme ka treguar se Ministri i Shtetit për Diasporën si dhe Agjencitë që meren me diasporën nuk kujdesen edhe për anëtarët e pakicave në diaspor. Kemi pasur dy Samite të diasporës dhe nuk është ftuar asnjë personalitet i shquar shtetas shqiptar që i përket minoriteve! Ose nga Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës nuk është financuar asnjë individ ose shoqat që përfaqësojnë minoritetet në Diasporën shqiptare pavarsisht se ky fond financohet nga të gjithë taksapaguesit shqiptar përfshirë edhe taksat e pjesëtarëve të pakicave kombëtare si qytetarë loajal të vendit tonë.
Përsa i përket sqarimin e Ministrit Majko, se nuk egziston model të njohur ndërkombëtar trajtimi i anëtarëve të minoriteteve si diasporë, kur pjesëtarët e saj vendosin të largohen nga vendi, shtetësinë e të cilit kanë, këtu është shembulli me fqinjin tonë lindor, se si Maqedonia e trajton Diasporën maqedonase! Institucionet të cilat meren me trajtimin e Diasporës maqedonase i trajtojnë njësoj të gjithë shtetasit maqedonas në diaspor pavarsisht nga përkatësia etnike qofshin ata maqedonas, shqiptarë, turq, vllehë, serbë, boshnjakë, egjiptianë etj. Personat e shquar nga Diaspora maqedonase nga të gjitha bashkësitë etnike janë të ftuar në të gjitha aktivitetet për diasporën maqedonase të organizuara nga institucionet qeveritare maqedonase. Kur shkojnë jashtë vendit për të vizituar vendet ku ka një diasporë maqedonase, Ministri i Diasporës dhe Drejtori i Agjencisë së Diasporës takohen me të gjithë përfaqësuesit e Diasporës Maqedonase, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike, siç janë maqedonasit, shqiptarët, turqit, romët, vllehë, serbë, boshnjakë, egjiptianë, etj. Në 10 vitet e fundit, institucionet përkatëse për diasporën në shtetin e Maqedonisë kanë dhënë rreth 400 projekte, të cilat janë përdorur nga të gjithë qytetarët maqedonas dhe shoqatat që ata përfaqësojnë, përkatësisht anëtarët e komunitetit maqedonas nga të gjitha bashkësitë etnike, pa asnjë paragjykim. Shteti financon edhe mësuesit në gjuhën amtare për anëtarët e bashkësive etnike, të cilët banojnë dhe jetojnë jashtë, domethënë në botë!
Të nderuar deputet,
Nga kontaktet që kemi pasur me personalitete të shquara të minoriteteve në Diaspor por edhe me shoqatat e këtyre minoriteteve, ata ndihen të përjashtuar dhe të diskriminuar nga institucionet e qeverisë së Republikës së Shqipërisë që merren me trajtimin e Diasporës! Këta shtetas shqiptar japin një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin socio-ekonomik të vendit por edhe në afirmimin e përgjithshëm të Shqipërisë në vëndet ku jetojnë! Mënyra se si ne i trajtojmë ata, për fat të keq, ne i humbasim ato, në mënyrë të pavetëdijshme ose do të thoja jo rastësisht. Diaspora për shtetin e Shqipërisë nuk mund të jenë vetëm shqiptarët etnikë që jetojnë dhe qëndrojnë jashtë! Diasporë për shtetin e Shqipërisë janë gjithashtu edhe anëtarët e bashkësive etnike të pakicave në Republikën e Shqipërisë – Grekët, Maqedonasit, Vllehët, Romët, Serbët, Malazezët, Boshnjakët dhe Egjiptianët, të cilët si shtetas shqiptarë jetojnë dhe banojnë jashtë! Edhe shtetasit shqiptarë – grekë, maqedonas, vllehë, romë, serbë, malazezë, boshnjakë dhe egjiptianë, të cilët jetojnë dhe banojnë jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë në botë, janë të organizuar në shoqata, ata akoma janë shtetas të këtij vendi dhe janë akoma qytetarët e saj loajal! Pjesëtar të Diasporës shqiptare janë të gjithë qytetarët e saj në botë, jashtë kufijve të saj, pavarësisht nga origjina etnike dhe besimet fetare! Dhe kjo është arsyeja pse shteti duhet të kujdeset për të gjithë ata, në mënyrë të barabartë, për të mbajtur lidhjet dhe për të ndihmuar zhvillimin e tyre kulturor, kudo që të jenë!
Prandaj, kjo nismë ligjore duhet të mbështetet nga të gjithë deputetët në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sepse synon: Trajtimin institucional të këtyre shtetasve shqiptarë që janë në botë, në mënyrë që edhe ata të ndihen pjesë e këtij vendi, pavarësisht se ku gjenden ne këtë moment! Dhe më besoni, numri i tyre është mijëra dhe mijëra! Me miratimin e projektligjit që unë propozoj, ky vend do të tregojë trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët, që të gjithë janë të barabartë para Kushtetutës dhe ligjeve, brenda dhe në botë, pavarësisht nga origjina etnike. Ju lutem, mos harroni se shtetasit shqiptarë – grekët, maqedonasit, vllehët, romët, serbët, malazezët, boshnjakët dhe egjiptianët, të cilët jetojnë dhe banojnë jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë në botë, janë jetësisht të interesuar për këtë vend, Republika e Shqipërisë është atdheu i tyre, vendi i tyre i lindjes, njësoj si të gjithë shqiptarët sipas origjinës etnike!
Kjo është arsyeja pse ky vend, Shqipëria, duhet të jetë po aq e interesuar për të gjithë ata. Kështu, të gjithë do të demonstrojmë unitet të fortë, se Shqipëria është atdheu i të gjithë banorëve të saj, pavarësisht nga origjina e tyre etnike, brenda dhe në botë!
Македонски весник Илинден – Makedonski vesnik Ilinden