Intervistë ekskluzive për gazetën Maqedoase “Ilinden”: Marinko Culafic, kryetar i Shoqatës së Komunitetit Malazez në Shqipëri

Gazeta maqedonase “Ilinden”: Zoti Marinko Culafic, ju lutemi prezantohuni para lexuesve tanë.

Unë jam djali i një emigranti politik jugosllav i ardhur në Shqipëri pas Luftës së 2-të Botërore. Historia e familjes time është një kalvar vuajtjesh dhe persekutimesh që e kanë zanafillën që nga pushtimi fashist i Malit të Zi e deri në vendosjen përfundimtare në qytetin e Elbasanit në vitin 1953. Vetë jam lindur dhe rritur në këtë qytet, ndërsa studimet e larta i kam kryer në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të qytetit të Shkodrës, në degën histori-gjeografi. Pasi punova për 2 vite mësues, u largova në emigracion në Greqi si edhe shumë të tjerë në ato vite të vështira të ndërrimit të sistemeve. Vitet e para kam punuar në ndërtim si bojaxhi, dhe me lindjen e internetit dalëngadalë sëbashku me bashkëshorten filluam të merremi me përkthime nga anglishtja dhe greqishtja në gjuhën shqipe. Me kthimin nga emigracioni në vitin 2011, fillova të bëhem pjesë aktive në mbrojtje të të drejtave të minoritetit malazez, fillimisht si anëtar i Asamblesë të shoqatës “Alba-Montenegro” në Shkodër dhe më pas si kryetar i shoqatës “Komuniteti malazez në Shqipëri”, shoqatë e cila u krijua menjëherë pas aprovimit të Ligjit të ri për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare. Jam babai i dy fëmijëve, Dejanit që aktualisht studion në Universitetin “Epoka” në degën e “Shkencave politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare” dhe Lidias që vazhdon arsimin 9-vjeçar.

Gazeta maqedonase “Ilinden”: Lexuesit tanë jenë të interesuar të përshkruani historinë e komunitetit malazez në Republikën e Shqipërisë.

Familjet me origjinë malazeze kanë ardhur në territorin e Shqipërisë në periudha të ndryshme të historisë. Përjashtim këtu bëjnë malazezët e Shkodrës të cilët jetojnë në këtë qark që nga mesjeta e hershme dhe janë të vendosur kryesisht në qytetin e Shkodrës, në Vrakë, Koplik, Dobraç etj. Historikisht është bërë një përpjekje për asimilimin e tyre në këtë zonë dhe kjo vihet re edhe nga mungesa e emrave dhe mbiemrave sllavë që kishin dikur këto familje. Por gjithësesi shumica e tyre i kanë ruajtur me fanatizën gjuhën dhe traditat shekullore malazeze. E kundërta ndodhi me emigrantët politikë të ardhur kryesisht pas Luftës së 2-të Botërore (në këtë grup përfshihet dhe familja ime), sidomos pas prishjes së marrëdhënieve të Jugosllavisë së Titos me bllokun komunist të kryesuar nga Bashkimi Sovjetik, pjesë e të cilit ishte dhe Shqipëria. Këtyre familjeve të ardhura nga Mali i Zi nuk iu imponua ndërrimi i emrave dhe mbiemrave sllavë, por duke qenë në një numër relativisht të vogël dhe të shpërndara në qytetet kryesore të Shqipërisë, patën shumë vështirësi në ruatjen e gjuhës dhe zakoneve malazeze, dhe sidomos brezi i dytë që u arsimuan në gjuhën shqipe. Gjithësesi këto familje i ruajtën lidhjet me njëra-tjetrën dhe jemi ndjerë gjithmonë krenarë për origjinën tonë malazeze. Në vitin 2018, bashkë me disa trashëgimtarë të këtyre familjeve të vendosura në qytetet Tiranë, Elbasan dhe Durrës krijuam shoqatën “Komuniteti malazez në Shqipëri”, një nga qëllimet e të cilës është njohja, hulumtimi, studimi dhe mbrojtja e kulturës, gjuhës dhe traditave të minoritetit malazez që jeton në Republikën e Shqipërisë.

Gazeta maqedonase “Ilinden”: Cilat janë problemet kryesore me të cilat përballen minoritetet momentalish në Republikën e Shqipërisë?

Minoritetet në Republikën e Shqipërisë por dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor aktualisht përballen me një sërë problemesh, ku problemi kryesor sipas mendimit tim në këtë fazë është mungesa e transparencës dhe vonesa e pashpjegueshme në zbatimin e detyrimeve që kanë qeveritë e këtyre vendeve në kuadër të ligjit për mbrojtjen e pakicave kombëtare. Nga njëra anë ndërsa Këshilli i Evropës ka theksuar vazhdimisht se respektimi i të drejtave të personave që u përkasin minoriteteve janë çështje kyç në të gjitha shtete që aspirojnë të bëhen anëtarë të BE-së, nga ana tjetër nuk ekziston asnjë institucion në nivel evropian për të monitoruar dhe raportuar përparimin e bërë nga çdo shtet aspirues. Pra i gjithë ky proces më shumë është parë si një nga detyrimet për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian. Konkretisht në Shqipëri, Ligji i ri për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare (96/2017) është aprovuar në tetor të vitit 2017 dhe të themi të drejtën solli një risi në proçesin e mbrojtjes së të drejtave të minoriteteve në kuadër të një kornize ligjore që nuk ka ekzistuar më parë. Por edhe sot e kësaj dite, kur jemi në fund të vitit 2021 ende nuk është krijuar Komiteti i ri, në të cilin çdo minoritet do ketë përfaqësuesin e vet. Një problem tjetër është dhe mungesa e ambjenteve dhe strukturave në institucionet shtetërore të cilat janë të domosdoshme dhe duhet të vihen në dispozicion të përfaqësuesve të minoriteteve. Gjithashtu, politizimi i procesit të regjistrimit të popullsisë solli në një rezultat problematik dhe jo real në Censusin e vitit 2011. Shpresojnë që Regjistrimi i ri i popullsisë i vitit 2022 të jetë sa më transparent dhe numri real i popullsisë së pakicave kombëtare sa më afër të vërtetës. Një problem i rëndësishëm që kam vënë re në Shqipëri është dhe konkurenca e tepërt dhe aspak e nevojshme brenda vetë minoriteteve, duke çuar në krijimin e shumë shoqatave, gjë e cila dobëson një përfaqësim dinjitoz që duhet të ketë çdo minoritet për mbrojtjen e të drejtave të veta.

Gazeta maqedonase “Ilinden”: A keni bashkëpunim me minoritetet e tjera në Republikën e Shqipërisë?

Në këto gati 4 vite të ekzistencës të shoqatës tonë “Komuniteti malazez në Shqipëri”, në kuadër të aktiviteteve apo takimeve që kemi zhvilluar kemi kontaktuar por dhe kemi bashkëpunuar me përfaqësues të shoqata të tjera të minoriteteve përkatëse. Sigurisht që një bashkëpunim të ngushtë kemi pasur me përfaqësuesit e minoritetit maqedonas dhe sidomos me shoqatën “Ilinden”. Por, gjithësesi mendoj se krijimi i Komitetit të ri do t’i sjellë më afër përfaqësuesit e minoriteteve dhe sigurisht që edhe bashkëpunimi në kuadër të aktiviteteve kulturore, artistike, sportive etj do të jetë më i ngushtë. Si shoqatë ne jemi të hapur të shtrijmë dorën e bashkëpunimit me çdo shoqatë minoritare që ka një program serioz në kuadër të ligjit për pakicat kombëtare, larg interesave politike apo vetjake.

Gazeta maqedonase “Ilinden”: Në emër të Gazeta maqedonase “Ilinden”, ju falënderoj për bisedën, për bashkëpunimin dhe ju uroj suksese personale dhe profesionale.

Gjithashtu ju falenderoj dhe unë në emër të shoqatës ZCGA për intervistën por edhe për mbështetjen që na keni dhënë duke pasqyruar në kohë reale të gjitha aktivitetet dhe takimet që kemi organizuar gjatë këtyre viteve!

 

Gazeta maqedonase “Ilinden”                                                                                                                 

Kryeredaktor Nikolla Gjurgjaj

Advertisement