Gazeta maqedonase “Ilinden”: Si e vlerësoni pozitën e maqedonasve në zonën e Gollobordës?
Fatri Fetahu: Pozita e maqedonasve në zonën e Gollobordës mbetet e ndërlikuar dhe e mbushur me sfida. Pakica Kombëtare Maqedonase, edhe pse autoktone, ende nuk i gëzon të gjitha të drejtat që i takojnë. Një nga problemet më të mëdha është mungesa e institucioneve arsimore në gjuhën maqedonase. Gjeneratat e reja nuk kanë mundësi ta mësojnë gjuhën amtare,gjë që paraqet një rrezik për ruajtjen e identitetit tonë kombëtar dhe kulturor. Përveç kësaj, përballemi me probleme në administratën lokale, ku maqedonasit janë të përfaqësuar shumë pak. Po ashtu, infrastruktura në fshatrat maqedonase të Gollobordës është e lënë pas dore, gjë që e vështirëson ndjeshëm jetën e popullsisë. Megjithatë, pavarësisht këtyre vështirësive, komuniteti ynë mbetet i fortë, i bashkuar dhe këmbëngulës në luftën për të drejtat e tij. Përmes aktiviteteve të Shoqatës Maqedonase “Ilinden”-Tiranë, vazhdimisht i bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare dhe organizatave ndërkombëtare që të tregojnë më shumë mirëkuptim dhe mbështetje për kërkesat tona.
Gazeta maqedonase “Ilinden”: Si koordinator i ri i Shoqatës Maqedonase “Ilinden”-Tiranë për rajonin e Gollobordës, cilat janë planet tuaja të ardhshme për mbrojtjen e interesave të maqedonasve në këtë rajon?
Fatri Fetahu: Fokusi im kryesor do të jetë avancimi i të drejtave të maqedonasve në Gollobordës dhe sigurimi i kushteve më të mira të jetesës. Hapi i parë do të jetë intensifikimi i lobimit për futjen e gjuhës maqedonase në sistemin arsimor, e cila është një nga shtyllat kryesore për ruajtjen e identitetit tonë. Gjithashtu, do të angazhohemi për afirmimin kulturor përmes organizimit të ngjarjeve tradicionale, festivaleve dhe tubimeve, për të ruajtur dhe promovuar kulturën dhe traditat maqedonase. Besoj se vetëm përmes pjesëmarrjes aktive dhe bashkëpunimit me institucionet, si dhe me mbështetjen e bashkatdhetarëve tanë në Maqedoni dhe diasporë, mund të arrijmë rezultate të dukshme.
Gazeta maqedonase “Ilinden”: Cili është mesazhi juaj për maqedonasit e Gollobordës si Koordinator i Shoqatës maqedonase “Ilinden”-Tiranë?
Fatri Fetahu: Mesazhi im për të gjithë maqedonasit në Gollobordë është që të mbetemi krenarë për prejardhjen, historinë dhe traditën tonë. Edhe pse jeta këtu nuk është gjithmonë e lehtë, nuk duhet ta humbasim shpresën. Duhet të jemi të bashkuar, të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe të punojmë së bashku për një të ardhme më të mirë. Askush nuk do të na japë të drejtat tona nëse nuk i kërkojmë vetë. Prandaj, ju ftoj të jemi aktivë, të marrim pjesë në jetën shoqërore dhe politike, të përfshihemi në iniciativa dhe të mos kemi frikë të flasim për problemet tona. Vetëm në këtë mënyrë mund të krijojmë kushte më të mira për veten dhe për gjeneratat e ardhshme. Mos harroni: Maqedonasi kurrë nuk dorëzohet! Sado të mëdha të jenë sfidat, nëse jemi së bashku, mund t’i kapërcejmë. Ta ruajmë krenarinë, identitetin dhe gjuhën tonë, sepse ato janë trashëgimia jonë më e madhe!
Gazeta maqedonase “Ilinden”: Z. Fatri Fetahu, ju falënderojmë për intervistën dhe ju urojmë suksese në jetën tuaj personale dhe profesionale.
Fatri Fetahu: Ju falënderoj gjithashtu për mundësinë për të folur për komunitetin tonë dhe sfidat me të cilat përballemi. Shpresoj që me përpjekje të përbashkëta të arrijmë qëllimet tona. Lufta jonë vazhdon!
Kryeredaktor Nikolla Gjurgjaj
Македонски весник Илинден – Makedonski vesnik Ilinden
